Zjarr në Hajvali, deponia e automjeteve përfshihet nga flakët
Sot rreth orës 11:30 një zjarr ka përfshirë një deponi automjetesh në Hajvali të Prishtinës.
Në vend të ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin dhe nuk raportohet për të lënduar.
Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar detajet teksa tregon se ende nuk dihet shkaktari i zjarrit.
“Rreth orës 11:30, është raportuar për një incident zjarri në Hajvali, ku në një autoservis janë përfshirë nga zjarri disa vetura. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur lokalizimin e zjarrit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.
Kurse komandati i brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi tha se zjarri është shuar, por një ekip i zjarrfikësve janë ende në vend të ngjarjes për mbikqyrje dhe likuidim të tymit.
“Inspektorët do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, për të lënduar nuk kemi ndonjë informatë që ka njerëz të lënduar. Zjarri është shuar, është një ekipë në mbikqyrje në ato vende ku ende ka pak tym dhe janë duke u marrë me likuidimin e tij, tjetër nuk ka diçka”, tha ai.
Kujtojmë se Kosova dhe vendet e rajonit janë përballur gjatë muajve të fundit me një situatë të rënduar nga zjarret për shkak të temperaturave të larta dhe zjarrëvënieve.
