Suedia prezanton skuadrën
Kombëtarja e Suedisë e drejtuar nga Jon Dahl Tomasson ka shpallur listën e lojtarëve për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës, ku sfida e dytë do të jetë ndaj Kosovës në Prishtinë.
Pas debutimit me sukses në Ligën e Kombeve, Suedia do të nisë rrugëtimin drejt Botërorit më 5 shtator ndaj Sllovenisë, ndërsa tri ditë më vonë, më 8 shtator, do të përballet me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Tomasson ka ftuar emra të rëndësishëm si sulmuesit Viktor Gyökeres dhe Alexander Isak. Ky i pari vjen pas një debutimi me gol në Premier League me Arsenalin, ndërsa Isak, megjithëse nuk ka luajtur ende këtë sezon me Neëcastle-in, ka marrë konfirmimin për të qenë pjesë e ekipit. Një rikthim i rëndësishëm është edhe Lucas Bergvall i Tottenhamit.
Përballja me Kosovën pritet të jetë një sfidë vendimtare për suedezët, të cilët do të kërkojnë pikë të plota në transfertë. Vetë trajneri Tomasson pranon se ndeshjet janë të vështira, por sheh mundësi të mëdha për skuadrën e tij:
“Të gjitha ekipet në grup mund ta mposhtin njëra-tjetrën. Ne e dimë që ndeshja në Prishtinë do të jetë shumë e vështirë, por kjo është edhe bukuria e kualifikueseve. Do të jenë përballje të forta dhe interesante”, ka deklaruar ai.
Nga lista mungojnë disa emra të rëndësishëm për shkak dëmtimesh, si Dejan Kulusevski, Carl Starfelt dhe Emil Holm, ndërsa Victor Nilsson Lindelöf nuk është grumbulluar pasi mbetet pa klub.
Suedia do të udhëtojë drejt Kosovës menjëherë pas ndeshjes në Slloveni, ndërsa në “Fadil Vokrri” atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, duke e bërë sfidën edhe më të veçantë.
