Krasniqi pas takimit me emisarin francez: Integrimi në BE, rruga më e drejtë për Ballkanin Perëndimor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim emisarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon.
Në njoftimin e tij, Krasniqi tha se e ka falënderuar përfaqësuesin francez për vëmendjen që Franca i kushton Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, sidomos në kohë sfidash globale. Ai theksoi se “rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për të mbyllur kapitullin e Ballkanit Perëndimor është integrimi sa më i shpejtë i vendeve tona në Bashkimin Evropian”.
Gjatë bisedës, ai nënvizoi rëndësinë e institucioneve funksionale dhe dialogut konstruktiv për të ecur përpara. Krasniqi e informoi emisarin Troccaz se PDK-ja ka dhënë kontributin e saj politik dhe institucional në zhbllokimin e situatës duke votuar kryetarin e Kuvendit.
Kreu i PDK-së shprehu falënderime edhe për ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe për të gjithë zyrtarët francezë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës. Ai ritheksoi përkushtimin e PDK-së për stabilitet, përgjegjësi institucionale dhe orientimin evropian të vendit. /Kosova.info/
