Spiropali uron Bashën: Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me rastin e marrjes së detyrës.

Përmes një reagimi publik, Spiropali e përgëzoi Bashën për zgjedhjen dhe Kuvendin e Kosovës për hapjen e rrugës drejt ndërtimit të institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.

“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve,” shkroi Spiropali.

Ajo gjithashtu theksoi pritshmërinë për të rifilluar bashkëpunimin e ngushtë dhe vëllazëror mes dy parlamenteve, në shërbim të qytetarëve, integrimit euroatlantik dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në rajon.

“Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon,” përfundoi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. /Kosova.info/


Go to TOP