Gazetarët e RTK-së denoncojnë përjashtimin arbitrar: Alarm për demokracinë dhe lirinë e shprehjes
Një grup gazetarësh të Televizionit Publik të Kosovës (RTK) ka reaguar ashpër pas vendimit të menaxhmentit për t’i përjashtuar nga moderimi i emisioneve informative. Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, përmes një deklarate të përbashkët, kanë denoncuar ndërhyrje të paligjshme dhe censurë alarmante në RTK.
Sipas tyre, të premten, në fund të orarit të punës, morën një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin nga 1 shtatori përjashtohen nga moderimi i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Ata theksojnë se kanë kërkuar takim me menaxhmentin, por nuk kanë marrë përgjigje.
Gazetarët pretendojnë se vendimi lidhet drejtpërdrejt me presionet politike duke kujtuar rastet kur, sipas tyre, janë paralajmëruar heqje nga skema programore sa herë që të ftuarit nga partia në pushtet kanë shprehur pakënaqësi pas ballafaqimit profesional.
“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe më herët emisionin ‘Lajmet e fundit’, është i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi = ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional,” thuhet në reagim.
Ata shtojnë se vazhdimisht janë përballur me presion dhe akuza të pabazuara nga eprorët, të cilët nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike duke e bërë të vështirë ushtrimin e detyrave të tyre profesionale.
“Ky është një alarm serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend. Vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda RTK-së,” theksojnë gazetarët.
Në fund, ata paralajmërojnë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërkohë që do të vazhdojnë të punojnë “të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.” /Kosova.info/
