Pacolli reagim ndaj Ukrainës: Na quajtën terroristë, është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në kufirin Ukrainë–Moldavi, ku sipas tij, shtetasit e Kosovës janë refuzuar, ofenduar dhe maltretuar nga autoritetet ukrainase.
Pacolli ka bërë të ditur se qytetarët kosovarë jo vetëm që nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Ukrainës, por janë trajtuar në mënyrë fyese duke u quajtur madje edhe “terroristë”. Ai theksoi se kjo nuk është hera e parë që Ukraina tregon qasje të tillë ndaj Kosovës duke kujtuar rastin e disa viteve më parë, kur Kombëtarja e Kosovës në futboll u detyrua të luante ndeshjen kundër Ukrainës në Gjeorgji, për shkak të refuzimit të hyrjes.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Ukraina ka vepruar në mënyrë skandaloze edhe në të kaluarën. Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta, ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, ka deklaruar Pacolli.
Ky reagim vjen në një kohë kur Kosova ka shprehur vazhdimisht solidaritet me popullin ukrainas përballë agresionit rus, ndërsa përballja me trajtimin e qytetarëve kosovarë po ngre debate të reja mbi qëndrimin e institucioneve ndaj shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. /Kosova.info/
