Tahiri: Kandidatët e LVV-së për kryetar të Kuvendit mbajnë rekord të zi ndaj UÇK-së
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj kandidatëve që Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar deri më tani për kryetar të Kuvendit.
Tahiri tha se të tre emrat e propozuar nga LVV kanë veprime që cenojnë luftën dhe trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin që zgjeron afatin e hulumtimit të krimeve të luftës deri më 31 dhjetor 2000, çka sipas Tahirit, lë hapësirë për ndjekjen penale të veteranëve të UÇK-së edhe pas përfundimit të luftës.
Për Donika Gërvalla-Schwarz, Tahiri tha se vetë ka pranuar se ka bërë hetime dhe ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, gjë që sipas tij përbën shërbim për Serbinë.
Ndërsa për Hekuran Muratin, Tahiri rikujtoi vendimin e tij për të përjashtuar nga paga minimale veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së.
“Po duket se të gjithë e dimë se kush do të jetë nesër kandidati i radhës”, përfundoi Tahiri duke lënë të kuptohet se sipas tij, LVV po vepron në linjë me politika që dëmtojnë luftën dhe sakrificën e UÇK-së. /Kosova.info/
