Qumështorja “Sharri” në Prizren 36 orë pa energji – gjeneratori punon pandërprerë, rrezikohet rentabiliteti
Në zonën industriale të Prizrenit, ku gjendet edhe qumështorja “Sharri”, mungesa e energjisë elektrike ka detyruar biznesin të punojë me gjenerator për më shumë se 36 orë rresht.
Pronari i saj, Veli Halimi, thotë se gjeneratori me kapacitet 165 kW është në funksion të pandërprerë për të ruajtur freskinë e qumështit dhe produkteve të tij, veçanërisht në temperaturat e larta të ditëve të fundit.
“Askush nuk po qanë kokën për këtë problem. Si mund të jemi rentabil me këto shpenzime të naftës, kur produktet tona nuk mund të qëndrojnë pa ftohje?”, shprehet Halimi duke paralajmëruar se situata e tillë e bën të pamundur funksionimin normal dhe fitimprurës të prodhimit.
Mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike po vazhdon të krijojë vështirësi serioze për bizneset prodhuese në zonat industriale, me pasoja të drejtpërdrejta në kosto dhe cilësinë e produkteve. /Kosova.info/
