Policia arreston tre persona në Klinë dhe Prishtinë, sekuestron arsenal armësh e municionesh

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe me mbështetjen e njësive tjera policore, ka realizuar një aksion të gjerë në Klinë dhe Prishtinë, duke zbatuar një urdhëresë të gjykatës kompetente.

Gjatë operacionit janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një në Prishtinë, ku janë shoqëruar tre persona të dyshuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Si rezultat, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshirë: një armë të gjatë snajper, një automatik AK-47 me dy karikatorë, katër pistoleta me karikatorë dhe fishekë, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, municion të ndryshëm, një thikë, një shpatë të arteve marciale, një antiplumb dhe tre telefona mobilë. Disa prej këtyre armëve posedonin leje dhe janë sekuestruar për verifikim.

Pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj njërit nga të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet rreth rastit po vazhdojnë. /Kosova.info/


Go to TOP