Përparim Rama kërkon aksion urgjent për konfiskimin e armëve të paligjshme pas incidenteve të fundit tragjike


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas një sërë incidentesh të dhunshme që kanë tronditur vendin dhe kanë shkaktuar humbje tragjike jetësh. Në një deklaratë publike, ai theksoi se këto nuk janë thjesht statistika, por jetë njerëzish – fqinjë, miq e familjarë – dhe se dhimbja e tyre është e përbashkët për gjithë shoqërinë.

Rama kritikoi gjendjen aktuale institucionale, duke thënë se qytetarët e Kosovës “nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre”, ndërsa vendi po përballet me rrezik në rritje.

Ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe kryetarëve të komunave që të nisin menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme. Sipas tij, ky veprim duhet të jetë “i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent”.

“Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim, por një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real,” tha Rama në fund të reagimit të tij.

Go to TOP