Vrasje në Prizren: 47-vjeçari ndërron jetë pas therjes me thikë, i dyshuari arrestohet
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar për një rast të rëndë të vrasjes që ka ndodhur mbrëmë, më 10 gusht 2025, rreth orës 08:30, në lagjen Tusuz, rruga “Lapidari” në Prizren.
Sipas Prokurorisë, viktima është therur me mjet të mprehtë (thikë) dhe, për shkak të lëndimeve të rënda, është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e krimit kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës. Me urdhër verbal të prokurorit, është bastisur shtëpia e të dyshuarit në fshatin Zhur, ku janë gjetur dhe sekuestruar një brisk patente, që dyshohet të jetë përdorur në kryerjen e veprës, si dhe një veturë e markës “Audi”.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet E.B., është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, ndodhet në ndalim 48-orësh. Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike janë në vijim. /Kosova.info/
