Kica Xhelili: Hetuesit që hetojnë VV-në ndëshkohen – Demokracia po rrëshqet në fasadë
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër pas raportimeve se dy hetues të Policisë së Kosovës, që po hetonin ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari dhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, janë ndëshkuar.
Sipas saj, hetuesit janë degraduar, janë larguar nga njësia kundër korrupsionit dhe njëri prej tyre është transferuar saktësisht para se të intervistohej Hajdari.
“Kjo nuk është rastësi. Është mesazh: E heton VV-në – të pret hakmarrja,” ka shkruar Kica në një deklaratë publike.
Ajo e krahason këtë sjellje me regjime autoritare si Hungaria, Rusia apo Venezuela, ku, sipas saj, pushteti godet çdo zë që i afrohet të vërtetës.
“Kudo, mesazhi është një: Preke pushtetin – dhe pushteti t’a ‘tregon vendin’,” thotë ajo duke paralajmëruar se pas hetuesve mund të jetë radha e prokurorëve e më pas e gjyqtarëve.
Sipas Kicës, kjo përbën një rrezik serioz për demokracinë në Kosovë dhe një përpjekje për të frikësuar institucionet e pavarura të drejtësisë.
“Sot degraduan dy hetues. Nesër mund të jetë një prokuror. Pasnesër – gjyqtari. Në fund, je ti në radhë nëse nuk je mjaftueshëm i dëgjueshëm,” përfundon ajo.
Ajo bën thirrje për rezistencë qytetare ndaj autoritarizmit dhe nënshtrimit duke theksuar se “mes nuk ka”: “Ose je me ata që nënshtrohen. Ose je me ata që rezistojnë.” /Kosova.info/
