AGK dënon sulmin e deputetes Pacolli ndaj gazetares Blerta Foniqi-Kabashi: Deklaratë e rrezikshme dhe linçuese

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, drejtuar gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi, pas një interviste të zhvilluar në emisionin “Info Plus”.

AGK e cilëson sulmin e Pacollit si “të paprecedent, personal dhe shumë të rrezikshëm” duke theksuar se një gjuhë e tillë nga një përfaqësuese e Kuvendit të Kosovës përbën kërcënim serioz për sigurinë dhe punën e gazetarëve.

Reagimi i deputetes Pacolli erdhi disa orë pas emisionit, ku ajo u pyet lidhur me zhvillimet aktuale politike, përfshirë edhe raportimet mbi përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit. Në një reagim në rrjete sociale, Pacolli e akuzoi gazetaren Foniqi-Kabashi se “kishte mision të porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet ishin të dirigjuara”.

Sipas AGK-së, një gjuhë e tillë përbën linçim publik dhe krijon një precedent të rrezikshëm duke u dhënë platformë sulmeve të tjera ndaj punonjësve të medias.

“Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik në mënyrë të papërgjegjshme. Kjo formë e linçimit është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni u bën thirrje jo vetëm deputetes Pacolli, por edhe të gjithë zyrtarëve publikë që të përmbahen nga gjuhë denigruese dhe të nxisin transparencë duke u përgjigjur në mënyrë profesionale në pyetjet e interesit publik.

“Liria e shprehjes dhe puna e gazetarëve janë shtylla të një demokracie funksionale. Çdo tentativë për t’i frikësuar ose delegjitimuar është sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, përfundon deklarata e AGK-së. /Kosova.info/


Go to TOP