Parandalohet kontrabanda me pajisje dentare, arrestohet një person
Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me pajisje dentare, i cili u zbulua gjatë kontrollit të një ngarkese të paraqitur si mall personal në pikën doganore në pikëkalimin kufitar në Bernjak.
Sipas Doganës personi i dyshuar, shtetas që vinte nga Gjermania, kishte deklaruar fillimisht se po importonte pajisje kuzhine, dollapa dhe ormana si pjesë e gjësendeve të tij personale. Por gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë në Mitrovicë zbuluan se ngarkesa përmbante pajisje profesionale dentare në vlerë prej 72,461.23 euro. Ky mall nuk kishte as licencën e nevojshme për import dhe as dokumentacion të rregullt.
Pas zbulimit të tentativës për kontrabandë, hetuesit doganorë nisën menjëherë veprimet hetimore në bashkëpunim me prokurorinë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është arrestuar dhe po procedohet në përputhje me ligjin.
Dogana e Kosovës tutje ka thesuar se vazhdon të jetë e angazhuar në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe mbrojtjen e sigurisë së tregut dhe qytetarëve, duke forcuar kontrollin dhe monitorimin e mallit që kalon përmes pikave doganore. /Kosova.info/
