Fatmir Sheholli ndihmon në lirimin e kosovarit të arrestuar në Serbi për flamurin shqiptar

Rrahim Musliu, një qytetar nga Republika e Kosovës, është arrestuar ditë më parë nga autoritetet policore serbe, për shkak se në veturën e tij kishte të vendosur flamurin kombëtar shqiptar. Sipas familjes Musliu dhe burimeve të afërta me rastin, arrestimi kishte ndodhur pikërisht për shkak të simbolit kombëtar në veturë, gjë që u konsiderua nga autoritetet serbe si “provokim”.

Fatmir Sheholli, i njohur për angazhimin e tij institucional në çështje të ndjeshme kombëtare, ka bërë të ditur se përmes Institutit që ai përfaqëson dhe zyrës së tij në Beograd, janë ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e Musliut. Sheholli tregon se kontaktet janë vendosur menjëherë me Ambasadën Amerikane në Beograd, si dhe me Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, për të ngritur shqetësimin për këtë arrestim të pajustifikuar.

“Rrahimi ishte arrestuar sepse në ballinën e veturës së tij kishte flamurin kombëtar – Shqiponjën, dhe kjo ishte arsyeja e vetme. Presioni i fuqishëm ndërkombëtar, veçanërisht ai amerikan, bëri që pas 7 ditësh ai të lirohej,” shkroi Sheholli në postimin e tij.

Ai gjithashtu falënderoi publikisht familjen Musliu për vlerësimin dhe theksoi se nuk ka pasur qëllim të publikojë këtë ndërhyrje, por e bëri për të përcjellë një mesazh paralajmërues për mërgatën shqiptare: të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin sa më shumë kalimin përmes Serbisë.

“Nuk është në natyrën time të publikoj falënderime të tilla, por ndjeva nevojën të jap këtë mesazh: Të gjithë mërgimtarët të jenë të kujdesshëm dhe, nëse munden, të shmangin rrugët përmes Serbisë,” përfundoi Sheholli.

Go to TOP