​Totaj: Lëndët nga kontrata kolektive kanë ngulfatur Apelin, prandaj ka rënie të efikasitetit

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ka thënë se shkalla e efikasitetit mund të bie për shkak të lëndëve civile që burojnë nga lënda kolektive. Madje, sipas tij, sistemi mund të ngulfatet në faza të caktuara, ku rrjedhimisht do të ketë rënie të efikasitetit në Divizionin Civil të kësaj gjykate.

Këshilli Gjyqësor në mbledhjen e së enjtes, shqyrtoi raportin e jashtëzakonshëm në lidhje me gjendjen në Gjykatën e Apelit, ku mes tjerash u theksua se në periudhën janar-qershor të vitit 2025, ky institucion ka pranuar 13 mijë e 199 lëndë, ndërkaq ka përfunduar 6 mijë e 218 lëndë.

Kryetari i Apelit, Totaj, tha se edhe reduktimi i orarit për shkak të temperaturave të larta ka sjellë rënie të efikasitetit në zbatimin e planifikimeve në kuadër të planit të veprimit.

Totaj: Lëndët nga kontrata kolektive kanë ngulfatur Apelin, andaj ka rënie të efikasitetit

“Burimi i idesë për me u përpilua ky raport ka të bëjë me lëndë të domenit civil, respektivisht që burojnë nga kontratat kolektive që na kanë ngulfatur si sistem gjyqësor. Ne i kemi paralajmëruar me kohë se kur ato lëndë kanë ardhur në shkallë të parë është ditur që kanë me ardhë edhe në shkallë të dytë dhe në një fazë të caktuar kemi me qenë të ngulfatur nga këto lëndë dhe ka me ra efikasiteti. Gjyqtarët nuk kanë me ditë a me trajtu lëndë nga kontrata kolektive apo lëndë sipas strategjive, apo përmbarimore. Normalisht ky rezultat e bjen pastaj edhe shkallën e efikasitetit të departamentit civil në katërdhjetë për qind… Është dashur me u reduktu orari i punës, kjo ka me pas efekt për bashkëpunëtorët që janë delegu pasi kemi caktu se diku kanë me qenë katër-pesë mijë lëndë. Nëse vazhdon trendi veror i reduktimit të orarit të punës, nuk pritet me dhënë atë kontribut apo efekt që kemi planifiku me plan të veprimit. Janë një mori faktorësh që ndikojnë në planin e efikasitetit”, theksoi Totaj.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se në bazë të raportit për gjashtë muajt e parë të vitit 2025 në Gjykatën e Apelit, shihet se problematike mbetet shqyrtimi i lëndëve në Divizionin Civil.

Ai tha se shkalla e përqindjes së përfundimit të lëndëve civile është në katërdhjetë për qind.

Zogaj: Shkalla e përqindjes së përfundimit të lëndëve civile në Gjykatën e Apelit është në katërdhjetë për qind

“Nga ajo që mund të shihet te performanca e gjykatës në periudhën janar-qershor, problematika kryesore – ne kemi thënë që problematika e këtij raporti është çështja civile. Gjykata ka pranuar 13 mijë e 199 lëndë, ndërkaq ka zgjidhur 6 mijë e 218 lëndë. Kjo ka shkallë të efikasitetit në 47 për qind, në penale është në 87 për qind, pasi ka pranuar 1,766 lëndë ndërkaq ka përfunduar 1,532 lëndë”, tha ai.

Në raport, mes tjerash, u tha se ka rritje të numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit. 


Go to TOP