Shaban Manaj në Panteonin e Kujtesës së LDK-së – Abdixhiku kërkon drejtësi për vrasjet politike pas luftës

Në përvjetorin e 25-të të vrasjes së avokatit dhe veprimtarit të shquar Shaban Manaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur fotografinë e tij në “Këndin e Kujtesës” brenda selisë së partisë, në një ceremoni të veçantë në praninë e familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi rëndësinë e kësaj përkujtesë duke vlerësuar kontributin e Shaban Manajt si një figurë kyçe në rrugëtimin për liri dhe ndërtim të shtetit. “Shabani qëndron në krah me Enverin, Xhemën, Ismetin e Nekibën, si shenjë e një kujtese historike”, u shpreh Abdixhiku.

Ai e përshkroi Manajn si një avokat të shquar, veprimtar të palodhur dhe bashkëpunëtor të afërt të Presidentit Ibrahim Rugova. “Me guxim, urtësi e përkushtim, Shaban Manaj la gjurmë të thella në historinë politike të Kosovës”, tha kreu i LDK-së.

Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi edhe domosdoshmërinë për zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës duke kujtuar se familja e Manajt ende kërkon drejtësi. “Shoqëria jonë ka detyrim të përhershëm – zbardhjen e këtij krimi dhe të gjitha vrasjeve politike pas luftës”, theksoi ai.

Kryetari i LDK-së i shprehu mbështetje familjes Manaj – zonjës Fatmushe dhe fëmijëve Fortesa, Shkodrani e Shkëmbi – duke u bërë thirrje të qëndrojnë të fortë edhe një çerek shekulli pas humbjes.

“Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt! Lavdi të gjithë veprimtarëve të lirisë!”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP