Jashari: Opinioni i GJND-së, një xhevahir juridik që duhet shfrytëzuar më shumë nga Kosova
Avokati Arbër Jashari ka kujtuar 15-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili më 22 korrik 2010 konstatoi qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në një reagim publik, Jashari e ka cilësuar këtë opinion si një nga fitoret më të mëdha të Kosovës në aspektin juridik dhe diplomatik.
“Sot u bënë 15 vjet që e drejta ndërkombëtare foli qartë dhe bindshëm në favor të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Opinioni i GJND-së ishte i padiskutueshëm: pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat relevante të OKB-së”, theksoi ai.
Sipas tij, ky opinion ua ka hequr nga dora shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën një nga argumentet kryesore – atë të paqenësisë juridike të shpalljes së pavarësisë.
Jashari ka kërkuar nga institucionet që ta përdorin më fuqishëm këtë “xhevahir juridik” për lobim ndërkombëtar dhe për rritje të numrit të njohjeve të reja të shtetësisë së Kosovës. /Kosova.info/
