Murati i kundërpërgjigjet Isa Mustafës: Në vitin 2017, LDK nuk pritej të ishte në qeverinë e ardhshme
Ministri në detyrë, Hekuran Murati i ka reaguar ish kryeministrit, Isa Mustafa i cili tha se në vitin 2017 kishte liruar anëtarë të kabinetit qeveritar pasi ata ishin zgjedhur deputetë për të evituar shkeljen e Kushtetutës.
Murati përmes një reagimi në Facebook tha se në atë kohë nuk pritej që LDK të ishte pjesë e qeverisë së re dhe sipas tij kjo ishte arsyeja e ‘lirimit të zyreve’.
“Pas zgjedhjeve të mbajtura me 11 qershor 2017, koalicioni PAN kishte dalë i pari, Lëvizja Vetëvendsoje e dyta, ndërsa LDK e treta. Pra as që pritej se LDK do të ishte edhe në qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve, prandaj kishte pasuar edhe lirimi i zyrave”, tha ai.
Kujtojmë që konstituivi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar në 49-të seanca, teksa nesër do të zhvillohet seanca e 50-të.
Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituimin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.
