Diplomon gjenerata e parë e New York School of Science në Kosovë – një ëndërr që mori formë
Në një mbrëmje të mbushur me emocion dhe krenari, profesori dhe drejtori i “New York School of Science in Kosova” (NYSS), Prof. dr. Sadik Krasniqi, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm për nder të diplomimit të gjeneratës së parë të kësaj shkolle elitare. Ai përshëndeti nxënësit, arsimtarët dhe prindërit duke e quajtur këtë moment një dëshmi të suksesit të përbashkët.
“Ju jeni fryt i vlerave të suksesit të arsimtarëve shembullor të shkollës sonë,” theksoi drejtori Krasniqi duke nënvizuar përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit arsimor. Në fjalën e tij, ai e vlerësoi posaçërisht themeluesin dhe ideatorin e shkollës, Valmir Krasniqi, si njeriun me vizion, ide dhe vullnet për të ndërtuar një institucion që synon majat e suksesit në Kosovë dhe më gjerë.
Duke iu drejtuar gjeneratës së parë të nxënësve, drejtori Krasniqi tha:
“Ju, të dashur nxënës, jeni emblemë e dëshmisë së suksesit të shkollës sonë! Kam qenë i bindur që nga fillimi se do të arrinim këtu, sepse besova në programin, përzgjedhjen cilësore të nxënësve dhe arsimtarëve tanë.”
Ai shtoi se rrugëtimi nuk përfundon me diplomimin dhe se nga këta të rinj priten edhe më shumë suksese në të ardhmen. “Ju sot ju shohë si nobelistë të ardhshëm! Zoti ju dhashtë shëndetin dhe të mbarën!”
Drejtori Krasniqi gjithashtu falënderoi arsimtarët për përkushtimin e tyre të palodhshëm, dhe prindërit për besimin e dhënë ndaj shkollës NYSS. Në fund, ai shprehu dëshirën që edhe gjeneratat e ardhshme të ndjekin shembullin e suksesshëm të kësaj gjenerate të parë që tashmë është bërë krenari për vendin.
“Shkolla jonë përherë do të interesohet për rrugën e ardhmërisë tuaj,” përmbylli drejtori mesazhin e tij emocional.
