Një lojtar i lidhur me Liverpool e një tjetër me Parma vijnë në Kosovë

Dy lojtarë që kanë qenë pjesë e klubeve të njohura evropiane, Liverpool dhe Parma, do të paraqiten në elitën e futbollit kosovar gjatë edicionit të ri. Kjo pasi Prishtina e Re, skuadra që do të debutojë në Superligë këtë sezon, ka prezantuar sulmuesin Toni Gomes, i cili është rritur në akademinë e Liverpool. E Gjilani ka prezantuar ish-futbollistin e Parma,  Redi Kasa. 

Gomes, i cili është rritur në akademinë e Liverpoolit e që do ta bartë fanellën e Prishtina e Re, ka luajtur për ekipin U23 të klubit anglez, ndërsa pas largimit nga Liverpooli në vitin 2018, ai ka ndërtuar karrierën në disa shtete, përfshirë Portugalinë, Egjiptin, Turqinë, Azerbajxhanin, Izraelin dhe Korenë e Jugut. 26-vjeçari është sulmues dhe ka luajtur edhe për përfaqësuesen e Guinea-Bissau, si dhe më herët për ekipet U17 dhe U18 të Portugalisë.

Kasa, që është zyrtarizuar si përforcim i ri i klubit nga Gjilani së fundmi ishte pjesë e Egnatias, kampiones së Shqipërisë, me të cilën ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Në të kaluarën, Kasa ka qenë pjesë e ekipit të parë të Parmas, ku në vitin 2019 ishte i ftuar në ndeshje ndaj Sassuolos, Romës, Napolit dhe Bolognas, edhe pse nuk arriti të debutojë në fushë, duke qëndruar në bankën e rezervistëve. Ai ka luajtur edhe për klubin Septemvri të Bullgarisë dhe Olimpija Lubjanën në Slloveni.


Go to TOP