Ahmeti pret delegacionin tanzanes, kërkon bashkëpunim në ekonomi e arsim
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, priti sot në takim një delegacion nga Republika e Bashkuar e Tanzanisë.
Sipas komunikatës nga kjo ministri, Ahmeti shprehu mirënjohje për vizitën dhe u shpreh i lumtur që marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen me projekte konkrete të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.
“Duke riafirmuar vullnetin e përbashkët për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të ndërsjellë, Zëvendësministri Ahmeti theksoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fusha kyçe si arsimi, ekonomia, reformat në administratën publike dhe për koordinim diplomatik”, vazhdon njoftimi.
Kryesuesi i delegacionit, James Mahanga Sando, shprehu falënderime për pritjen, duke theksuar se qëllimi i vizitës është thellimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit mes dy shteteve. /Kosova.info/

