Bajrami nga Ambasada Amerikane: LDK propozon qeveri kalimtare për tejkalimin e krizës institucionale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, është takuar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në emër të LDK-së, Bajrami shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës, si në momentet historike më të vështira, ashtu edhe në procesin e integrimeve euroatlantike.

Gjatë takimit, ajo ndau shqetësimin e LDK-së për krizën e thellë institucionale që, sipas saj, po e paralizon vendin dhe e dëmton funksionimin demokratik. Bajrami theksoi se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për veprime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë parlamentare.

“LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare,” deklaroi Bajrami.

Ajo paraqiti propozimin e LDK-së për formimin e një qeverie kalimtare, e cila do të mundësonte tejkalimin e bllokadës aktuale dhe rikthimin e funksionalitetit institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026. Po ashtu, shprehu gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që synojnë stabilitetin politik.

Në fund, Bajrami theksoi se LDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Kosova.info/


Go to TOP