Edin Dzeko rikthehet në Serie A, firmos për Fiorentinën

Sulmuesi boshnjak Edin Dzeko zyrtarisht është lojtari më i ri i Fiorentinës.

39-vjeçar i, i cili ka bërë karrierën në Manchester City, Roma dhe Interin, ka firmosur kontratë njëvjeçare me klubin italian, me opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër në varësi të përmbushjes së kushteve.

Pas dy sezonesh të suksesshme me Fenerbahçen në Turqi, Dzeko largohet si lojtar i lirë nga klubi që tani drejtohet nga Jose Mourinho.

Sezonin e fundit ai shënoi 21 gola në 53 ndeshje në të gjitha garat, duke dëshmuar se, pavarësisht moshës, mbetet një sulmues me instinkt të fortë dhe klas të lartë.

Ky transferim shënon rikthimin e tij në Serie A, një kampionat ku Dzeko ka shkëlqyer më parë me fanellën e Romës dhe më pas të Interit.

Eksperienca dhe qetësia e tij pritet t’i japin një dimension të ri repartit ofensiv të Fiorentinës, që kërkon të jetë konkurruese në Itali dhe Evropë.

Go to TOP