Avokati i Popullit hap procedurë hetimore ndaj zyrtarëve policorë

Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në rastet e arrestimeve të qytetarëve në dy raste ndaras nga zyrtarët policorë.

Procedura hetimore do të bëhet për të monitoruar punën e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve. Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit”, thuhet në njoftim.

Institucioni më tej bën të ditur se ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, vazhdon reagimi.

Pesë zyrtarëve policorë dje u është caktuar masa e ndalimit 48 orësh në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan. /Kosova.info/


Go to TOP