PSG në gjysmëfinale të Kupës së Botës pas fitores ndaj Bayern Munich
Paris Saint-Germain ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube pasi ka mposhtur Bayern Munich me rezultat 2-0 në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Atlanta.
Ndeshja ka nisur me ritëm të ngadaltë, ku janë dashur njëzet minuta që të krijohej rasti i parë i mirë, kur Desire Doue ka asistuar për Fabian Ruiz, por goditja e tij ka përfunduar mbi portë. Bayern është kundërpërgjigjur me një tentim nga Michael Olise, por Gianluigi Donnarumma ka reaguar mirë.
Pak pas gjysmë ore lojë, Khvicha Kvaratskhelia ka depërtuar në zonën e Bayern, por është ndalur nga Manuel Neuer. Në fundin e pjesës së parë, Bayern ka menduar se ka kaluar në epërsi me një gol të Upamecano, por është anuluar për pozitë jashtë loje. Po ashtu, një lëndim serioz i Jamal Musiala ka ndikuar negativisht në gjendjen e skuadrës gjermane.
Në pjesën e dytë, Bradley Barcola ka pasur rast të artë për PSG, por është ndalur nga Neuer. Menjëherë më pas, Ousmane Dembele ka gjuajtur pranë portës bosh, por topi ka shkuar ngjitur me shtyllën.
Goli i parë ka ardhur pak më shumë se dhjetë minuta para fundit, kur Doue ka realizuar në këndin e afërt, duke befasuar Neuer. Vetëm pesë minuta më pas, PSG ka mbetur me një lojtar më pak pasi Willian Pacho është ndëshkuar me karton të kuq për faull ndaj Leon Goretzka. Bayern ka menduar se e ka barazuar me golin e Harry Kane, por edhe ky është anuluar për pozitë jashtë loje.
Në kohën shtesë, PSG ka mbetur me nëntë lojtarë pas përjashtimit të Lucas Hernandez, por sërish e ka gjetur forcën për të shënuar golin e dytë përmes Ousmane Dembele. Në sekondat e fundit, Bayern ka fituar një penallti, por pas konsultimit me VAR, gjyqtari Anthony Taylor ka anuluar vendimin.
Me këtë fitore PSG kalon në gjysmëfinale ku do të ndeshjet me fituesin e takimit Real Madrid – Borussia Dortmund.
