Hajdaraj: Shteti pagoi mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë – viktimat pa asnjë përkrahje
Shpëtim Smajl Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, ka reaguar me tone të ashpra lidhur me raportimet se mbi 32 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për mbrojtjen juridike të të akuzuarve nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai ironizon me “garën e palëve për të paguar sa më shumë” duke nënvizuar se të akuzuarit mbrohen për veprime që nuk kanë lidhje me luftën kundër forcave serbe, por për krime të pretenduara kundër vetë shqiptarëve – në veçanti atyre që i përkisnin Lidhjes Demokratike të Kosovës në kohën e Ibrahim Rugovës.
“90% e rasteve janë kundër shqiptarëve, vetëm 10% janë të tjerë. Asnjë pikë e aktakuzës nuk flet për luftë kundër shtetit serb. Po të ishte për këtë, do e pranoja mbështetjen,” shkruan Hajdaraj.
Sipas tij, viktimat e asaj kohe janë lënë krejtësisht pas dore, pa asnjë përkrahje nga shteti që, siç shprehet ai, “u bë shtet dhe fitoi lirinë si viktimë, por tani i shkel viktimat”.
Ai shton se për viktimat nuk ka as shpërblim, as dëmshpërblim, as kujtesë institucionale – madje asnjë euro.
“Ato po pretendohet në narrativë që as nuk ekzistojnë. Hajde shtet, hajde!”, përfundon reagimin e tij djali i deputetit të ndjerë. /Kosova.info/
