Kolshi: Vullneti e kompromisi politik, çelësi i konstituivit të Kuvendit
Melos Kolshi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në ‘InfoPlus’, RTK, ka folur për situatën politike në vend, për dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, për të cilën tha se çelësi i zgjidhjes në konstituivin e Kuvendit është vullneti politik, fillimisht, pastaj kompromisi.
Ai shtoi se moskonstituimi i Kuvendit i ngjan më shumë mungesë së vullnetit politik, ngase, sipas tij, ky është më tepër një problem politik, sesa kushtetues e ligjor.
Kolshi tutje shtoi se saga e mosthemelimit të Kuvendit të Kosovës, tanimë, është bërë e mërzitshme jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për ndërkombëtarët, vendet mike, të cilët duan që Kosova të jetë në krye të detyrës, në plotësimin e agjendave të veta shtetërore në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se një situatë të tillë nuk është parë më përpara, ndonëse, sipas tij ka pasur vakume institucionale, por jo në këtë nivel ku, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk po arrijnë të dalin nga ngërçi politik.
“Konstituivi i Kuvendit, përveç që është detyrim kushtetues, është nevojë, sepse për moskonstituivin e Kuvendit pasojat do të jenë të rënda, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e jashtëm”, deklaroi Kolshi.
