Haradinaj: Kurti ka vendosur t’i shpenzojë këto 30 ditë pa e bërë shumicën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti “ka vendosur që as brenda 30 ditëve të mos e formojë shumicën parlamentare”.
Kështu u shpreh ai pas dështimit të 41-të të konstituimit të Kuvendit, ku tha se “Kurti po e mban peng vendin”.
Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përmes një aktvendimi, urdhëroi konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.
Haradinaj: Kurti e ka vendosur që t’i shpenzojë këto 30 ditë pa e bë shumicën
“Me 61 vota e zgjedhim kryetarin, nëse nuk i bën ai na i harxhon këto 30 ditë pra na mban peng. Është mirë ose me e bë shumicën, 61 votë ose me lëshu rrugë, pra të mos na i harxhojë këto 30 ditë pa konstituim të Kuvendit, sepse pasojat janë të mëdha. Mirëpo po shihet se ai e ka vendosur që t’i harxhojë këto 30 ditë pa e bë shumicën, se krijon shumicën parlamentare dhe pa e zgjedh kryetarin e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit. Deri më tash janë bërë 41 përpjekje, të pasuksesshme.
Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë e kundërshtojnë emrin e Haxhiut si të papranueshëm për këtë pozitë.
Vazhdimi i seancës të enjten u mbajt një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të ndara me krerët e partive parlamentare shqiptare, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale.
Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Osmani bëri thirrje që të arrihet “sa më shpejt” pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
