Kryeziu: Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin – Dehari po shndërrohet në instrument të bllokadës kundërkushtetuese

Analisti dhe drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar me shqetësim ndaj mënyrës se si po udhëhiqet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për veprime që cenojnë rendin kushtetues dhe funksionalitetin demokratik të institucionit ligjvënës.

Kryeziu thekson se përmes instrumentalizimit të deputetit Avni Dehari, Vetëvendosje po ua pamundëson deputetëve të Kuvendit të ushtrojnë një të drejtë themelore – atë për të votuar.

“Z. Dehari, më vjen sinqerisht keq për mënyrën se si do të kujtoheni kur të përmendet kjo situatë politike: si instrument i bllokadës dhe i një veprimi kundërkushtetues,” deklaron Kryeziu.

Ai thekson se Vetëvendosje jo vetëm që po injoron interpretimin dhe frymën e Kushtetutës, e cila kërkon konsensus dhe marrëveshje politike, por është duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundërkushtetuese. Sipas tij, duke e keqpërdorur udhëheqjen e seancës dhe duke e mbajtur peng atë, po i mohohet Kuvendit funksionaliteti bazik.

Kryeziu kujton se sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk parashihet votim për ndonjë komision për votim të fshehtë, por vetëm votim për kandidatin për kryetar të Kuvendit. Prandaj, ai e përshkruan situatën jo si një ngërç politik, por si një bllokadë të vetëdijshme dhe shkelje serioze të rendit kushtetues. /Kosova.info/


Go to TOP