Muharremi: 82.5% e qytetarëve fajësojnë LVV-në për bllokadën në Kuvend, partia në panik pas aktgjykimit
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar rezultatet e matjes së fundit të opinionit publik nga Ombibus për muajin qershor, sipas të cilës qytetarët në masë dërrmuese e fajësojnë Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën institucionale në Kuvend.
Sipas Muharremit, 49.9% e të anketuarve e ndajnë përgjegjësinë në mënyrë të barabartë mes të gjitha partive, ndërsa 32.6% fajësojnë drejtpërdrejt Vetëvendosjen, çka e çon përgjegjësinë e perceptuar ndaj saj në një total prej 82.5%.
“Në të kundërtën, kur matet përgjegjësia e partive të tjera në mënyrë individuale, ajo bie ndjeshëm: vetëm 7.2% për PDK-në dhe 6.3% për LDK-në,” shkruan Muharremi.
Ai shton se këto gjetje, të kombinuara me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që e ka shpallur të pavlefshëm vendimin për të ndërruar mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit duket se e kanë tronditur Vetëvendosjen dhe e kanë futur në panik.
“Sipas të gjitha gjasave, kjo është arsyeja pse LVV tashmë ka hyrë në një aksion të përshpejtuar për të shpërndarë përgjegjësinë, në përpjekje për të minimizuar dëmin elektoral në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe qendrore,” përfundon ai. /Kosova.info/
