Mbappe s’luan ndaj Salzburgut, Alonso tregon kur do të rikthehet francezi

Kylian Mbappe do të mungojë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës për Klube, ku Real Madrid do të përballet me RB Salzburg.

Megjithatë, trajneri Xabi Alonso konfirmon se sulmuesi francez pritet të jetë gati për fazën me eliminim direkt, në rast se madrilenët kualifikohen.

Ylli i Francës është rikthyer në stërvitje pas problemeve me gastroenteritin akut që e mbajtën jashtë fushave për disa ditë.

Ai ishte shtruar edhe në spital në Miami, ndërsa ka munguar në dy ndeshjet e para të grupit: barazimin me Al-Hilal dhe fitoren ndaj Pachucas.

“Kjo ishte dita e tij e parë me atlete, dita e parë që vrapoi pak dhe shkoi mirë, por ende nuk është rikuperuar plotësisht,” u shpreh Alonso para gazetarëve, raporton RTKLive.

“Diskutuam pas stërvitjes dhe ai preferoi të pushojë dhe të rikuperohet siç duhet për fazën tjetër. Nëse kualifikohemi në raundin e 1/16-ave, ai do të jetë i gatshëm. Por për Salzburgun, nuk ishte ende në gjendjen optimale”, theksoi strategu spanjoll.

Real Madrid shpreson të sigurojë kualifikimin pa ndihmën e Mbappe, ndërsa francezi po punon për t’u rikthyer në kohë për ndeshjet vendimtare. 

Go to TOP