LDK mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese: Grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituivin e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituivit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si vendim të qartë dhe udhërrëfyes për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Sipas LDK-së, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se grupi më i madh parlamentar nuk mund të pengojë konstituivin e Kuvendit dhe se i takon atij grupi të sigurojë shumicën e votave ose të arrijë konsensus me grupet e tjera parlamentare për të përmbushur këtë detyrë kushtetuese.

Në një reagim publik, LDK thekson se, siç thuhet në paragrafin 187 të aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë Kushtetutën, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat parlamentare të deritashme, duke i rikthyer punimet skenarit të dakorduar dhe duke proceduar me votim të hapur.

“Ritheksojmë përkushtimin tonë për një parlamentarizëm funksional, për respektim të Kushtetutës dhe ndërtimin e institucioneve përfaqësuese që burojnë nga vullneti i qytetarëve dhe nga rregullat demokratike”, thuhet në qëndrimin e LDK-së.

LDK ka bërë thirrje që grupi më i madh parlamentar të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim, të ndërpresë bllokimin e deritashëm dhe të kontribuojë në konstituivin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP