Muharremi: Vetëvendosjen e mbështesin më së shumti votuesit me nivel më të ulët arsimor
Analisti Shenoll Muharremi ka publikuar të dhënat e fundit nga matja “Omnibus”, e cila nxjerr në pah dallime të theksuara në përkrahjen politike të partive në varësi të nivelit të edukimit të votuesve në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka përkrahjen më të lartë nga votuesit me arsim të ulët, ndërsa përkrahja për këtë parti bie dukshëm me rritjen e nivelit arsimor.
Votuesit me vetëm disa vite shkollë – pa përfunduar as nivelin fillor – e përkrahin LVV-në me 54.70%, përqindja më e lartë ndër të gjitha grupet arsimore. Ndërkohë, përkrahja për LVV-në bie në vetëm 23.60% në mesin e votuesve me magjistraturë ose doktoratë.
Në të kundërt, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkrahje më të ulët nga ata me nivel të ulët edukimi (vetëm 3.80%), por rritet në mënyrë të ndjeshme tek ata me arsim të lartë duke arritur 34.70% tek votuesit me magjistraturë dhe doktoratë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) qëndron mes dy skajesh, me një përkrahje prej 18.90% tek votuesit me disa vite shkollë dhe 13.90% në mesin e atyre me arsim të lartë.
Në shtresën e studentëve, LVV prin sërish me 38.00%, e ndjekur nga LDK me 18.00% dhe PDK me 14.00%.
Ndërkaq, tek votuesit me vetëm shkollë fillore, LVV përkrahet nga 40.10%, PDK nga 20.40%, dhe LDK nga 17.50%.
Këto të dhëna tregojnë se përkatësia politike në Kosovë lidhet ngushtë me nivelin arsimor të votuesve duke reflektuar një hendek të qartë të përfaqësimit dhe perceptimit politik mes shtresave të ndryshme të popullsisë. /Kosova.info/
