​Myles Lewis-Skelly firmos kontratë afatgjatë me Arsenalin

Myles Lewis-Skelly ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me Arsenalin, njoftoi klubi të enjten. 18-vjeçari ka firmosur një marrëveshje pesëvjeçare me skuadrën londineze, pas një sezoni të shkëlqyer debutues me ekipin e parë.

“Jam shumë krenar dhe i lumtur,” u shpreh Lewis-Skelly për faqen zyrtare të Arsenalit. “E di që këto fjalë janë të thjeshta, por mendoj se përmbledhin më së miri ndjesinë që kam për nënshkrimin me këtë klub. Jam tifoz i Arsenalit dhe kjo është si një ëndërr e bërë realitet.”

“Kam mishëruar vlerat e Hale End dhe ia kam dalë mbanë. Kam ende shumë vite përpara, ndaj nëse arrij të mbetem i përulur dhe një njeri i mirë, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.”, shtoi ai.

Lewis-Skelly u bashkua me ekipin e parë në dhjetor dhe u vendos si zgjedhja e parë në krahun e majtë të mbrojtjes nga trajneri Mikel Arteta. Ai zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha kompeticionet, prej të cilave 23 në Premier League.

Në mars, ai mori thirrjen e tij të parë me përfaqësuesen e Anglisë dhe u bë lojtari më i ri që ka shënuar në debutim, duke realizuar golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Shqipërisë në “Wembley”.

“E di që kam fituar shumë përvojë, si nga momentet pozitive ashtu edhe nga gabimet që kam bërë,” shtoi ai. “Tani ndihem më i përgatitur për sezonin e ardhshëm. Dua vetëm të vazhdoj të mësoj dhe të përmirësohem.”

“Dua të lë një trashëgimi. Dua të fitoj gjithçka që është e mundur në futboll. Dua të ngre trofe në skenat më të mëdha, duke qëndruar gjithmonë me këmbë në tokë dhe duke qenë një njeri që mëson vazhdimisht – kjo për mua është thelbësore”, tha në fund ai.


Go to TOP