Dhoma e Tregtisë e shqetësuar për bllokimin e regjistrimit të automjeteve të bizneseve: Kërkohet pezullim i plotë i gjobave
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj situatës së krijuar lidhur me regjistrimin e automjeteve të bizneseve duke theksuar se kjo çështje po shkakton pasoja serioze në funksionimin e ndërmarrjeve.
Që nga paraqitja e pengesave të para në procesin e regjistrimit, Dhoma ka qenë aktive në kërkimin e një zgjidhjeje përmes takimeve me zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit nga Policia, gjobat për bizneset janë pezulluar përkohësisht vetëm në rastet kur vozitësit nuk janë identifikuar. Megjithatë, gjobat mbeten në fuqi kur vozitësit janë të identifikuar, deri në zgjidhjen e kësaj situate.
Dhoma ka kërkuar që ky pezullim të zgjerohet për të gjitha llojet e gjobave të bizneseve, në mënyrë që të mundësohet regjistrimi i automjeteve që nuk kanë asnjë detyrim të papaguar. Sipas Dhomës, qasja aktuale e institucioneve, e cila rezulton me bllokimin e të gjithë flotës së automjeteve të një biznesi për shkak të një gjobe, është e padrejtë dhe e paarsyeshme.
“Ky veprim po dëmton rëndë aktivitetin e bizneseve dhe pamundëson ushtrimin normal të veprimtarisë së tyre. Regjistrimi duhet të ndalohet vetëm për automjetin që ka gjobën, jo për të gjithë flotën,” thuhet në reagimin e Dhomës.
Gjithashtu, DhTIK shpreh habinë pse nuk është zbatuar menjëherë neni 89, paragrafi 4, i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, që nga hyrja në fuqi e tij në mars të vitit 2024, dhe pse kjo masë po zbatohet vetëm tani.
Dhoma u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë dhe të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të përballueshme për komunitetin e biznesit në vend. /Kosova.info/
