IAEA konfirmon se sulmi izraelit dëmtoi centralin bërthamor në Arak
Mbikëqyrësi global bërthamor konfirmon se një sulm izraelit ndaj një centrali bërthamor iranian, në ndërtim e sipër pranë qytetit të Arak, shkaktoi dëme në ndërtesa të konsideruara të rëndësishme.
Aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan reaktorin e ujit të rëndë në Arak të enjten, megjithëse Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së (IAEA) tha se objekti nuk përmbante material bërthamor, raporton BBCNews.
Reaktorët e ujit të rëndë përdorin një lloj uji kimikisht të dallueshëm si ftohës.
Reaktorët si objekti i Arakut, 250 km në jugperëndim të Teheranit, mund të përdoren për qëllime shkencore, por si nënprodukt krijojnë plutonium, i cili mund të përdoret për të bërë armë bërthamore.
Në një deklaratë, kreu i IAEA-s, Rafael Grossi, thotë se “ndonëse nuk ka pasur incident të madh radiologjik, si rezultat i sulmeve izraelite, ende ekziston rreziku i një aksidenti radiologjik”.
“Mes këtyre rrethanave sfiduese dhe komplekse”, thuhet në deklaratë, “është thelbësore që IAEA të marrë informacion teknik në kohë dhe të rregullt në lidhje me objektet bërthamore”.
