Arrestohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim detyre dhe përvetësim – në mbikëqyrje të Prokurorisë dhe Doganës
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Hetuesit e Doganës së Kosovës, ka realizuar një aksion në kuadër të të cilit është arrestuar një person i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Përvetësim në detyrë”, të parashikuara nga nenet 414 dhe 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas njoftimit zyrtar, personi i dyshuar është ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit për një afat prej 48 orësh. Brenda këtij afati ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria ka theksuar përkushtimin për të ndjekur veprat penale në mënyrë të intensifikuar duke vepruar në mbrojtje të rendit dhe interesit publik.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndjekjen e veprave penale duke vepruar në mënyrë të intensifikuar me qëllim të mbrojtjes së rendit dhe interesit publik”, thuhet në fund të njoftimit. /Kosova.info/
