Miftaraj: Konstituivi i Kuvendit është në dorë të Kurtit – Kushtetuta po shkelet për ego politike
Ehat Miftaraj nga KDI, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bllokimin e qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në një reagim publik, Miftaraj thotë se situata aktuale është pasojë direkte e interesave partiake dhe personale që po mbizotërojnë mbi interesin shtetëror.
“Konstituivi i Kuvendit është në dorë të Albin Kurtit. Nëse i njëjti e vendos vetëm pak interesin e Kosovës para egos dhe interesave personale dhe partiake, e ndryshon kandidatin për Kryeparlamentar dhe i ka votat për konstituivin e Kuvendit,” deklaron Miftaraj.
Ai thekson se bllokimi i këtij procesi pengon krijimin e institucioneve të reja dhe formimin e qeverisë, për të cilën Vetëvendosje pretendon se i ka votat. Sipas tij, ky ngërç nuk ka të bëjë me mungesë të numrave, por me një kalkulim të qëllimshëm politik.
“Sigurisht se konstituivi i Kuvendit do të ndodhë në një fazë të mëvonshme kur i konvenon Albinit dhe LVV-së. Deri atëherë do vazhdojë cirku dhe shkelja e Kushtetutës dhe rregullave nga Avni Dehari,” përfundon Miftaraj duke e cilësuar situatën si një degradim institucional që minon rendin kushtetues.
Deklarata e tij vjen në kohën kur vendi po përballet me një bllokadë të gjatë institucionale dhe mungesë të një konsensusi politik për funksionalizimin e organeve legjislative. /Kosova.info/
