Dhuna pas një tikete, lëndohen policët dhe i dyshuari
Një incident i dhunshëm është shënuar mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një person i dyshuar është arrestuar nga policia pas kanosjes dhe sulmit ndaj zyrtarëve policorë.
Sipas raportit zyrtar, rreth orës 21:40, i dyshuari mashkull kosovar ka reaguar ashpër pas shqiptimit të një tikete kundër tij, duke kanosur dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Gjatë përleshjes, i dyshuari është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore, ndërsa edhe dy zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta.
Menjëherë pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Policia ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit janë ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore, ndërsa rasti është në hetim.
