Kurti në 10-vjetorin e TOKA-s: Rinia është garancia që Kosova do të bëhet më mirë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të organizatës TOKA, ngjarje kjo e cila u mbajt në hapësirat e Amfiteatrit të Gërmisë, në Prishtinë.
“Për dhjetë vite me radhë TOKA ka qenë më shumë se një organizatë. Ajo ka krijuar hapësira për të përmirësuar komunitetin dhe rrugëtimin e shumë të rinjve nga fshatrat dhe nga qytetet. Përmes angazhimeve të tilla kanë kontribuar në formësimin e brezave të rinj që janë vetë bartës të ndryshimit. Ky është thelbi i asaj që ne duam për Kosovën: një shoqëri ku të rinjtë janë bashkë-udhëtarë dhe vendimmarrës, e jo vetëm pjesëmarrës në rrugën tonë drejt zhvillimit demokratik dhe progresit ekonomik”, tha kryeministri në fjalën e tij të rastit.
Në këtë ditë kur shënohet ditëlindja e organizatës TOKA, kryeministri u shpreh mirënjohës për përkushtimin, angazhimin si dhe kontributin e kësaj organizate, ku potencoi se TOKA ka dëshmuar se është e mundur të zbatohen mbi 500 projekte vullnetare, prej të cilave përfitojnë 400,000 qytetarë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte, e që kjo përkthehet në angazhim e përfshirje të 50,000 të rinjve nga e gjithë Kosova. Për sukseset e saj TOKA ka dëshmuar se është lidere në rajon dhe Evropë, duke sjellur kështu në Kosovë dy çmime Rajonale për Vullnetarizëm Edukativ.
Sa i përket qeverisjes dhe politikave të qeverisë në fushën arsimit, ai theksoi: “Si qeveri jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor, që shkollat dhe universitet tona të bëhen hapësira ku të rinjtë e të rejat por edhe fëmijët, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, punojnë, mësojnë dhe hulumtojnë. Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, ku mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat që nga viti 2021. Mbi 14 milionë euro janë shpërndarë nga shtetit për mbështetje të studentëve përmes bursave. Investimi në edukim duhet të përkthehet në jetën pas-universitare e post-diplomike edhe në punësim e aftësim të rinisë. Për ta bërë të mundur dhe arritur këtë, kemi filluar lidhjen e arsimit me tregun e punës ashtu që për çdo diplomë shkolle të ketë një vend pune. Po e jetësojmë arsimin dual, në 12 profile në 23 shkolla në 15 komuna, për mbi 1,600 nxënës”.
Kryeministri u zotua se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të mbështesë organizata si TOKA dhe të krijojë hapësira më të mëdha për pjesëmarrjen e të rinjve në çdo nivel të jetës publike. Ai tha se do të hartojmë dhe zbatojmë politika që forcojnë edukimin cilësor, rritjen e mëtejme të punësimit të të rinjve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse.
Për të rejat e të rinjtë u shpreh se janë më shumë sesa e tashmja –sepse janë edhe e tashmja edhe e ardhmja me ide, vlera dhe guximin për të vepruar dhe kontribuar, me krejt dijen dhe potencialin tuaj, duke shtuar se ata janë garancia që Kosova mund dhe do të bëhet edhe më mirë, shumë më mirë.
Në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, përveç festimit të këtij përvjetori të suksesshëm, organizata TOKA, ka lansuar Programin e Bursave të titulluar “LULËZOJNË”, e cila ka për qëllim kryesor rritjen e qasjes së të rinjve në arsim. /Kosova.info/
