Konjufca: Nga çlirimi në LVV, rrugëtimi politik nisi me Albin Kurtin

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në tribunën me temën “Historiku i Lëvizjes dhe ku jemi pas njëzet vjetësh”, një ngjarje përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 20-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Konjufca tha se ndihet i lumtur që ndodhet në mesin e aktivistëve e qytetarëve në këtë ditë jubilare për vendin.

“Me vjen mirë që jemi së bashku këtu sot në këtë ditë jubilare, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm për Kosovën. Së pari, sepse jemi në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës prej okupimit të Serbisë dhe e shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Konjufca.

Ai theksoi rëndësinë e kësaj date, duke e cilësuar si një ndër më të rëndësishmet për Republikën e Kosovës, që shënoi një rrugëtim të ri drejt pavarësisë dhe sukseseve të arritura deri më sot.

Konjufca rikujtoi gjithashtu se kjo datë përkon me 20-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është edhe ditëlindja e Vetëvendosjes, këtu, 20 vite më parë. Jemi mbledhur të gjithë aktivistë e dashamirë të Vetëvendosjes për me kujtuar këtë ditë të rëndësishme dhe ta bëjmë një retrospektivë të krejt rrugëtimit tonë, i cili ka qenë vërtetë i magjishëm, për mos me thënë i pabesueshëm”, tha ai.

Ish-kryeparlamentari vlerësoi se Vetëvendosje është një ide e lindur nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin kishte filluar bashkëpunimin në fillim të viteve 2000.

“Më kujtohet saktë në vitin 2003-2004, kur edhe e kam njohur Albin Kurtin dhe kur kemi filluar edhe të bashkëpunojmë. Ne ishim studentë në atë kohë dhe ishim pjesë e organizatave të ndryshme. Nga ato diskutime të thella politike që Albini i shtronte me shumë artikulim, dilte ideja se në Kosovë duhej të krijohej një platformë e re politike”, tha tutje Konjufca.

Ai shtoi se argumentet për krijimin e një lëvizjeje të tillë u konsoliduan me kohën, dhe kështu nisi rrugëtimi i Vetëvendosjes si lëvizje politike me bazë qytetare dhe vizion për ndryshim.


Go to TOP