KMDLNj: Kosovën po e shndërrojnë në koloni për të dënuarit dhe refugjatët e paligjshëm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Danimarkës për dhënien me qira të burgut në Pasjak të Gjilanit, ku pritet të vendosen rreth 300 të dënuar nga shteti danez.

Sipas KMDLNj, kjo marrëveshje, e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës përmes një ministreje me “kapacitet të kufizuar profesional”, përbën një akt të rëndë të nëpërkëmbjes së të drejtave të njeriut dhe një rrezik të madh për sigurinë në rajon.

“Janë mashtruar qytetarët e Kosovës lidhur me natyrën e të dënuarve që do të sillen në Pasjak. Bëhet fjalë për persona nga vendet e treta, të dënuar për krime të rënda dhe radikalizëm islamik, të cilët Danimarka nuk ka arritur t’i risocializojë,” thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Këshilli thekson se gjatë dhënies me qira për një periudhë 10-vjeçare, burgu do të jetë nën juridiksionin e plotë të Danimarkës dhe autoritetet kosovare do të kenë qasje vetëm me leje nga autoritetet daneze duke e konsideruar këtë si “zonë ekstraterritoriale”.

KMDLNj paralajmëron për pasoja të rënda sociale dhe të sigurisë siç janë rritja e prostitucionit, trafikimit me qenie njerëzore, narkotikëve dhe radikalizmit islamik. Po ashtu, shpreh shqetësimin për krijimin e dy sistemeve korrektuese paralele – të Kosovës dhe Danimarkës – duke e konsideruar këtë si diskriminim ndaj të burgosurve kosovarë.

“Kosova po shndërrohet në një deponi për të dënuarit dhe refugjatët e padëshiruar nga shtetet perëndimore, për një kompensim simbolik dhe pa asnjë përfitim afatgjatë për vendin,” thuhet më tej në reagim.

KMDLNj ka ngritur alarmin se kjo praktikë krijon precedentë të rrezikshëm dhe e kthen Kosovën në shkelës të të drejtave të njeriut. “Zyrtarët tanë janë përulës e të nënshtruar përballë interesave të huaja, ndërkohë që nuk tregojnë as minimumin e kujdesit për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë që po mbahen në Hagë nga një gjykatë raciste,” theksohet në fund të reagimit.

Këshilli kërkon nga institucionet e Kosovës që të tërhiqen nga kjo marrëveshje dhe të mos e kthejnë vendin në koloni për të dënuarit dhe refugjatët e paligjshëm. /Kosova.info/

Go to TOP