Kurti reagim pas arrestimit të Arbnor Fatmir Spahiut: Sjellja jonormale e Serbisë nuk do të pranohet si normale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të shtetasit kosovar Arbnor Fatmir Spahiu nga autoritetet serbe në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Serbisë.

Përmes një postimi publik, Kurti theksoi se institucionet e Kosovës janë angazhuar që nga momenti i arrestimit për lirimin sa më të shpejtë të qytetarit kosovar.

“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë,” shkroi Kurti.

Ai e cilësoi këtë veprim si një sjellje jonormale nga ana e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtoi se kjo qasje nuk duhet dhe nuk do të pranohet si e zakonshme.

“Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet,” theksoi më tej Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP