Rreshteri tregon momentin kur mori vesh se Afrim Bjunjaku ndërroi jetë

Rreshteri policor Mirsad Kryeziu po vazhdon dëshminë e tij në gjykatë, për sulmin terrorist në Banjskë.

Dëshmitari ka treguar se me shumë vështirësi ka arritur që ta fus në veturë rreshterin Bunjaku dhe janë nisur në drejtim të Mitrovicës.

“Gjatë kthimit, na kanë goditur në rrotën e parë të automjetit një herë, nuk jam ndalur, pastaj edhe një herë dhe goma ka dalë nga vendi. Kam vazhduar deri te policët ku ishin ndalë më herët, kam komunikuar me Elezin dhe i kam thënë ti vazhdo unë do mundohem që të kthehem. Në atë moment kam vërejtur dritën e kaltër të Policisë, dhe kanë ardhur me mjete të blinduara. Ju kam tregu se një prej nesh është i plagosur rëndë dhe e kam në veturë, ndërsa një tjetër është i plagosur dhe ka mbetur aty”, tha ai.

Kryeziu tha se me të hyrë në spitalin e Mitrovicës, mjekët e njoftuan se Afrimi tashmë ka ndërruar jetë.

Pas pyetjes nga Prokurori Naim Abazi se si e cilëson dëshmitari këtë sulm ka reaguar mbrojtja e të akuzuarve.

“Dëshmitari nuk është ekspert që të jap kualifikime të veprës penale, dëshmitari nuk është i thirrur të jap kualifikime të veprës andaj kërkoj që të mos përgjigjet në këtë pyetje”, tha avokati.

Trupi gjykues refuzoi pyetjen e prokurorit me arsyetimin e njëjtë si në shqyrtimin e kaluar.

Prokurori vazhdoi me pyetjen “cili ka qenë qëllimi i sulmuesve dhe pse ka ndodhë në atë lokacion dhe kohë”?

Avokatja e njërit prej të akuzuarve kundërshtoi.  “Edhe kjo pyetje nuk është për dëshmitarin, dëshmitari mund të flas çfarë ka parë dhe dëgjuar e jo për qëllimet e askujt”, tha ajo.

Trupi gjykues lejoi pyetjen e prokurorit dhe ftoi dëshmitarin të përgjigjet, duke e vlerësuar me interes.

Dëshmitari Mirsad Kryeziu vazhdoi me përgjigjen. “Qëllimi i sulmuesve ishte, sipas mendimit tim, gjatë gjithë kohës sa qëndronim në pjesën veriore nuk ishim të dëshiruar nga po të njëjtit pjesëtarë që janë të organizuar për gjëra të tilla dhe mund të them lirisht se ka pasur edhe sulme tjera ndaj patrullave të policisë gjatë kryerjes së detyrave të tyre”, tha ai.

Gjatë dëshmisë polici tha se falë profesionalizmit të Policisë së Kosovë, edhe pse në fshatin Banjska kishte popullatë, nga njësiti i tij dhe nga njësitë speciale nuk është plagosur asnjë qytetar.

Ai theksoi se kjo tregon se puna e tyre atje është të vënë rend dhe qetësi e jo t’i dëmtojmë apo maltretojnë qytetarët që jetojnë atje.

Rreshteri policor tregon momentin kritik gjatë sulmit terrorist në Banjskë

(E plotësuar, ora 10:55) Rreshteri policor Mirsad Kryeziu gjatë dëshmisë së tij ka treguar për momentin kritik kur rreshteri Afrim Bunjaku ishte duke luftuar për jetë, pas shpërthimit.

“Doja ta identifikoja cili ishte udhëheqës i ekipit që kishte ardhur në ndihmë tek ne. Në ato momente më është afruar, tha jam udhëheqës i patrullës, ishte Afrim Bunjaku. Kërkova nga ai që të ma jap një polic nga grupi i tij dhe të mundohemi t’i largojmë kamionët nga rruga. Jam hipur në kamion e kamë hap derën, posa e kam hap derën në ato momente kam dëgjuar një shpërthim dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga prestarët tonë, Afrim Bunjaku ishte i shtrirë përtokë, i mbuluar me gjak, sepse detonimet që kishin bërë nga grupi terrorist mund ta quaj, ai ishte plagosur në fyt, plaga më e madhe e tij ishte në fyt, dhe kishte gjakderdhje të madhe. Ju afrova afër, ishte e pamundur që të bëja një ndalje të gjakderdhjes apo të bëja një ndihmë se gjuajtjet ishin të pareshtura. E kam tërhequr Afrimin pak, dhe kam filluar të shtijë në pozicionet e tyre, dhe gjatë gjuajtjes time me armë, filluan edhe kolegët që të shtinin në drejtim të tyre”, ka thënë polici Mirsad Kryeziu para trupit gjykues.

Zyrtari policor Mirsad Kryeziu fillon dëshminë në rastin Banjska

Zyrtari policor Mirsad Kryeziu, para trupit gjykues ka folur për sulmin terrorist të Banjskës.

“Isha i caktuar në detyrë në pikën statike në Izvor ku bënim kontrollimin dhe shikimin e kufirit. Funksioni im ka qenë udhëheqës i ekipit. Detyrat e mija i kam marrë në kampin ‘Belvedere’, ‘Enver Zymeri’. Gjatë sulmit mes datës 23 dhe 24 shtator dëmtimet e mija kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë heroit të Kosovës, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar atë kohë. Saktësisht dëmtime kam pasur në gju gjatë tërheqjes dhe normalisht edhe traumat psiqike. Pasi që kemi filluar punën, ishim te caktuar 24 ore në ditë, kemi marrë detyrat dhe jemi nis. Pajisjet tona kanë qenë pajisje policore. Vetura ishte normale jo e blinduar, jeleku antiplumb, jeleku taktik, armët që i përdorim si njësi e specializuar, armë të gjata dhe armë personale, revole. Ne kemi kryer ndërrimin në ora 2 të natës, gjatë kthimit për në bazën e Koshtovës të Vllahisë, posa kemi urë në fshatin Banjska, tek ura ku hyn në fshat dhe aty kemi vërejtur se janë të parkuar dy kamionë që bënin bllokimin e hyrjes në fshat dhe për një moment kemi njoftuar dhomën komanduese dhe kemi informuar se në urën e fshatit gjenden dy kamionë. Nga dhoma komanduese kemi marrë urdhër që të bëjmë ekzaminimin e kamionëve dhe te shohim se çfarë ka përreth. Unë personalisht kam bërë kontrollimin sipërfaqësor dhe gjatë atij kontrollimi kam vërejtur se kamioni që ishte më afër rrugës e kishte derën hapur ndërsa kamioni në brendësi te fshatit nuk e kishte, ishte i mbyllur dhe nuk kishin tabela të regjistrimit”, ka deklaruar polici Kryeziu në fillim të dëshmisë së tij si palë e dëmtuar.

Fillon seanca gjyqësore për rastin ‘Banjska’

Me një orë vonesë sot po vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sot do të dëgjohet dëshmia e zyrtarit policor Mirsad Kryeziu.

Ndryshe Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Milan Radojiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati. 

Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ata janë në kërkim të INTERPOLIT e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.

Seancat për rastin “Banjska” mbahen sot dhe më 12 qershor.


Go to TOP