Abdixhiku: Refuzuan Qeverinë e Unitetit pa debat, ne do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas refuzimit të thirrjes së tij për krijimin e një Qeverie të Unitetit, të cilën e propozoi si një zgjidhje për daljen nga bllokada institucionale dhe politike që po kalon vendi.

Në një deklaratë publike, Abdixhiku shprehet se propozimi u refuzua impulsivisht nga partitë tjera, pa debat dhe pa një kundërargument serioz. Madje, sipas tij, reagimi përfshiu edhe ofendime nga disa palë, gjë që ai e cilëson si mungesë të thellë të kulturës politike.

“Ky nuk guxon të jetë normaliteti ynë i ri,” thekson Abdixhiku duke përshkruar situatën aktuale si “karikaturë politike” në të cilën mungesa e një marrëveshjeje prodhon mungesë të shumicës, e cila pastaj pamundëson zgjidhjen.

Ai sqaroi se propozimi për një Qeveri kalimtare e gjithëpërfshirëse nuk ishte për interesin e LDK-së apo të tij personal, por për ta tejkaluar bllokadën e thellë politike, mungesën e përfaqësimit legjitim dhe stagnimin institucional që po përjeton vendi.

Pavarësisht refuzimit, Abdixhiku paralajmëroi se LDK do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhje duke prezantuar së shpejti një Agjendë 15 pikëshe, që sipas tij ofron drejtim dhe kthjelltësi deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Mund të refuzojnë gjithçka, sërish. Por si LDK, do të përpiqemi të ofrojmë dhe gjejmë zgjidhje. Sepse më mirë të jemi të vetëm në përpjekjen për zgjidhje, se sa pjesë e bllokadës pa qëllim”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP