Ndalimi i Spahiut në Serbi, MPJD kërkon sqarime dhe monitorim
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se pas ndalimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, janë marrë masa për sqarimin e situatës dhe monitorimin e gjendjes së tij.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë autoriteteve serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me qëllim të konfirmimit të ndalimit, ofrimit të sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimit mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, ka thënë për RTKlive zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qëndresa Fazliu.
Sipas saj, “lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd”.
Z. Spahiu “është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, rreth 60 km nga Kikinda, në Vojvodinë, dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij”, shtoi Fazliu.
Ndërsa për procedurat e ardhshme, ajo theksoi se z. Spahiu “pritet të dalë nesër, në orën 09:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake, në Gjykatën Komunale të Kikindës”.
Ministria “do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse dhe do të mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht,” theksoi ajo.
MPJD është njoftuar se Arbnor Fatmir Spahiu, është ndaluar mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:00, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria, ku po udhëtonte me autobus, së bashku me anëtarët e familjes.
