Merz ia kujton Trumpit origjinën gjermane – takim i parë pa fërkime në Shtëpinë e Bardhë

Kancelari gjerman Friedrich Merz është pritur për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump, në një takim që kaloi në atmosferë të përzemërt dhe pa tensione, për dallim nga pritjet e mëhershme të liderëve evropianë si Macron apo Zelensky.

Takimi filloi me një gjest simbolik nga ana e Merzit: ai i dhuroi Trumpit një certifikatë të lindjes së gjyshit të tij nga ana e babait – një kujtesë e origjinës gjermane të presidentit amerikan. Trump e priti këtë me buzëqeshje duke theksuar respektin për rrënjët e tij familjare dhe duke e cilësuar Merzin si “një përfaqësues të mrekullueshëm të vendit të tij”.

Në kontrast me takimin e tensionuar të dikurshëm me Angela Merkelin, ku Trump refuzoi edhe një shtrëngim duarsh, kësaj here atmosfera ishte ndjeshëm më miqësore. Trump foli gjatë – siç zakonisht ndodh në këso raste duke përmendur tema globale si raportet me Kinën dhe Rusinë, kritikat ndaj Elon Musk, si dhe rëndësinë e rolit amerikan në botë.

Nga ana tjetër, Merz mbeti i përmbajtur dhe diplomatik duke falënderuar SHBA për rolin historik në çlirimin e Gjermanisë nga nazizmi dhe për angazhimin strategjik në Evropë. Ai theksoi nevojën për bashkëpunim të thelluar mes dy vendeve dhe një partneritet të qëndrueshëm transatlantik.

Megjithëse dallimet mbi çështje si tarifat tregtare, lufta në Ukrainë apo roli global i SHBA-së nuk u diskutuan publikisht, vëzhguesit mendojnë se mosmarrëveshjet e mundshme janë shtyrë për diskutime të mbyllura.

Trump konfirmoi qëndrimin e trupave amerikane në Gjermani duke e cilësuar këtë si një çështje me rëndësi strategjike dhe ekonomike. Të dy liderët u pajtuan për nevojën e bashkëpunimit në çështjen e Ukrainës dhe për forcimin e aleancës.

Takimi, sipas analistëve, ishte një fillim i mirë, pa ndonjë mrekulli por me tone të civilizuara dhe mirësjellje të ndërsjellë – një kontrast i qartë me takime të kaluara të Trumpit me liderë evropianë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo atmosferë do të reflektohet në qëndrime konkrete politike. /Kosova.info/

Go to TOP