OVL-UÇK me reagim të ashpër ndaj Dhomave të Specializuara: Nuk ka drejtësi pa dinjitet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj trajtimit që, sipas saj, po u bëhet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë. Përmes një deklarate publike, OVL-UÇK shpreh “shqetësimin e thellë” për zhvillimet e fundit, të cilat i cilëson si trajtim “të padrejtë dhe poshtërues” ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas organizatës, refuzimi nga ana e të paraburgosurve për të pranuar vizitën e Avokatit të Popullit është tregues i zhgënjimit dhe mospërfilljes ndaj një institucioni që, ndonëse ka për mision mbrojtjen e të drejtave të tyre, “ka zgjedhur të heshtë përballë shkeljeve të rënda që po ndodhin”.

“Qëndrimi i tyre është një mesazh i fuqishëm se kjo gjendje nuk mund të normalizohet dhe as të justifikohet,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Më tej, organizata thekson se kufizimet ekstreme në takimet me avokatët dhe ndërhyrjet në përgatitjen e mbrojtjes ligjore përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe të procesit të drejtë gjyqësor. Siç është raportuar edhe në media, takimet me avokatët po organizohen në mënyrë të papritur dhe në kushte të papërshtatshme, çka sipas OVL-së, dëmton rëndë funksionimin efektiv të mbrojtjes.

Në të njëjtën vijë, edhe Avokati i Popullit i Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me zgjatjen e paraburgimit dhe mungesën e vendimeve të drejta për lirimin e përkohshëm, duke i konsideruar këto si shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe si trajtim jo dinjitoz.

Për këtë arsye, OVL-UÇK bën thirrje për:

1. Përfundimin e menjëhershëm të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues të të paraburgosurve;

2. Garancinë e qasjes së plotë dhe të pandërprerë në mbrojtje ligjore;

3. Qëndrim publik dhe aktiv nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara kundër shkeljeve;

4. Rishikim urgjent të kushteve të paraburgimit dhe shqyrtim serioz të lirimit të përkohshëm.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK thekson se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare nuk kanë luftuar për “drejtësi të njëanshme” dhe as për “poshtërim në emër të drejtësisë”. “Drejtësia e vërtetë fillon me respektimin e dinjitetit njerëzor,” përmbyllet deklarata. /Kosova.info/


Go to TOP