Manifestimi i 65-vjetorit të SHKASH “Shkëndija” do të mbahet në tetor 2025 në Prishtinë
Një njoftim i hershëm i është drejtuar të gjithë intelektualëve dhe studentëve të të gjitha profileve që kanë ndjekur studimet në Universitetin e Zagrebit, nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, për të marrë pjesë në shënimin e 65-vjetorit të themelimit të Shoqatës Kulturore Artistike dhe Shkencore Shqiptare “Shkëndija”, me seli në Zagreb.
Kjo ngjarje historike do të mbahet në muajin tetor 2025 në qytetin e Prishtinës, si një manifestim madhor që synon të bashkojë gjenerata të tëra studentësh e intelektualësh shqiptarë që kanë dhënë kontribut në këtë shoqatë ndër vite.
Vendimi për organizimin e këtij jubileu u mor gjatë një takimi të një Këshilli Nismëtar të përbërë nga: Milazim Salihu, Naim Veseli, Kemail Shaqiri, Nol Dedaj, Sali Veselaj, Agim Beqaj dhe Qazim Salihu.
Këshilli ka paralajmëruar formimin e një Grupi Koordinues që do të punojë ngushtë me Kryesinë aktuale të SHKASH “Shkëndija”, si dhe në bashkëpunim me Unionin e Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë, për organizimin dhe realizimin e plotë të këtij eventi.
Të gjithë të interesuarit ftohen që të konfirmojnë paraprakisht pjesëmarrjen e tyre, në mënyrë që organizatorët të kenë një pasqyrë të qartë të numrit të pjesëmarrësve dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e manifestimit.
“Njoftimi është i vlefshëm për të gjitha profilet akademike që kanë qenë pjesë e Universitetit të Zagrebit dhe kanë kontribuar në shoqatën ‘Shkëndija’. Ju mirëpresim në këtë ngjarje të madhe që nderon historinë tonë të përbashkët arsimore dhe kulturore,” thuhet në njoftim.
Në emër të Këshillit Nismëtar:
Mr. Sci. Ph.D (c) Kemail Shaqiri, Kolonel
Kontakt: +383 44 277 935 /Kosova.info/
